Gazeta
JEHONA
Vezët e kuqe

Tradita e lyerjes së vezëve në kohën e Pashkës është e vjetër
dhe e ngulitur thellë në shumë familje shqiptare. Madje edhe në
kohën e shtetit ateist kur feja ishte e ndaluar, shumë njerëz
përsëri i lyenin vezët të kuqe për Pashkën. Por çfarë lidhje ka
ndërmjet vezëve dhe Pashkës? Përse i lyejmë të kuqe? A është
e rëndësishme kjo gjë?

Dhënia e vezëve në kohën kur vjen pranvera është një zakon që
praktikohej në shumë vende dhe jo vetëm nga të krishterët. Që
prej kohëve të lashta veza ka qenë simboli i jetës. Veza e
dhuruar në pranverë është një mënyrë në të cilën disa vende
festojnë ardhjen e pranverës. Ndërsa praktika e krishterë për
lyerjen e vezëve për ditën e pashkës ka një kuptim tjetër. Për
shumë të krishterë thyerja e vezës në ditën e Pashkës
simbolizon varrin nga i cili doli Jezusi. Shpesh ato lyhen me
ngjyrë të kuqe për të përfaqësuar gjakun e Krishtit që u derdh
në kryq. Disa të krishterë gjithashtu e shohin vezën e Pashkës si
simbol të jetës së re që Jezus Krishti na jep. Vitet e fundit veza e
kuqe është zëvendësuar me një vezë prej çokollate dhe në disa
vende është si traditë që vezët të mos lyhen me një por me
shumë ngjyra.

Jo të gjithë të krishterët e ndjekin traditën e lyerjes së vezëve për
Pashkë. Disa pasues të Jezus Krishtit e shohin traditën e vezës
së Pashkës si të parëndësishme dhe që tërheq vëmendjen nga
kuptimi i vërtetë i Pashkës. Ata theksojnë rëndësinë e besimit në
Krishtin i cili shfaqet nëpërmjet bindjes ndaj fjalës së tij në
krahasim me ndjekjen e riteve fetare.

Është e vërtetë se njerëzit mund të ndjekin tradita fetare në
mënyrë të verbër pa patur një besim të vërtetë. Duhet të
pranohet gjithashtu se përdorimi i vezëve të Pashkës nuk është
diçka që Perëndia e ka urdhëruar por një traditë e adoptuar nga
kisha në vitet e mëvonëshme. Për këtë arsye nuk është një
pjesë e domosdoshme e besimit të krishterë.

Jezus Krishti na paralajmëroi për rrezikun që vjen kur i japim më
shumë rëndësi traditave të njerëzve sesa ligjit të Perëndisë.

Është mirë t’i bësh vetes këtë pyetje: A i besoj Jezus Krishtit? A
besoj që ai vdiq për mëkatet e mia dhe se ai u ringjall përsëri?
Nëse jo, atëherë vezët e Pashkës madje edhe festimi i Pashkës
nuk do të ketë vlerë për ty.

ID.