Gazeta
JEHONA
UNË JAM THOMAI, DYSHIMTARI...

"Ai kishte ikur.  Zoti im, iku.  Të gjitha planet tona u
shkatërruan.  Të gjitha shpresat tona u thyen.  Ai u
gozhdua në një kryq dhe vdiq.  Atëherë e ulën dhe e
vunë trupin e Tij në një varr.  Gjithçka mori fund.
Unë jam Thomai, një nga të dymbëdhjetët.  Unë isha i
përkushtuar ndaj Tij.  Besoja tek Ai.  Në fakt, isha gati të
vdisja për Të.  Kur erdhi lajmi që shoku i Tij Llazar kishte
vdekur, Jezusi na tha se do të shkonte në Betani ku
banonte familja e tij.  Por kjo do të ishte e rrezikshme;
armiqtë e Tij do të ishin afër, dhe ata që donin vdekjen e
Jezusit mund të gjenin rastin e duhur.  Kështu, nuk doja
ta lija të shkonte vetëm dhe shkova bashkë me Të, edhe
pse kjo mund të më kishte çuar në rrezik.
Tani, sigurisht, mbaj mend mësimet e Tij.  Tani e kuptoj
që Ai po na thoshte që kjo do të ndodhte.  Por në atë
kohë, asnjëri prej nesh nuk e shihte dot.  Ai tha se do të
ikte për të përgatitur një vend për ne.  Ne nuk e dinim se
çfarë po thoshte.  E pyeta, "Zot, ne nuk e dimë se ku po
shkon, kështu si mund ta dimë rrugën?" Nuk po dyshoja;
vetëm se nuk e kuptoja.
Kur e zunë dhe e kryqëzuan ne u arratisëm. Kishim frikë
për jetën tonë.  Besonim që kryepriftërinjtë ose ushtarët
romakë do të ndiqnin pastaj dishepujt e Tij.  Prandaj u
fshehëm në shtëpi të ndryshme në Jeruzalem për dy ditë.
Të dielën në mëngjes Pjetri, Gjoni dhe disa prej grave
shkuan tek varri.  Ata u kthyen duke thënë se varri ishte
bosh, dhe duke pretenduar që Jezusi ishte ringjallur nga
të vdekurit.  Atë natë të gjithë u mblodhën fshehtazi, dhe
më vonë më treguan që Jezusi i vizitoi dhe pastaj u zhduk.
Por unë thjesht nuk e besoja dot.  Një i vdekur nga një
varr, i gjallë?  M’u kujtua që Llazari doli nga varri.  Por
Llazari nuk u shfaq dhe u zhduk në mënyrë misterioze.  
Jo, u thashë, vetëm nëse mund të vendosja duart në
plagën e gozhdëve në dorën e Tij, të shihja dhe të prekja
atë të çarë të tmerrshme në anën e tij, të shikoja me sytë
e mi dhe të prekja me duart e mia dhe të kisha provën që
Ai ishte i gjallë, ndryshe nuk mund ta besoja dot.
Dishepujt e tjerë ende ngulën këmbë që e kishin parë të
gjallë.  Dy prej tyre treguan që ai kishte ecur me ta gjatë
rrugës për në Emaus.  Por nuk mund të besoja pa e parë
vetë unë.  Duhej që ta shihja vetë.  Unë isha zëri i
dyshimit.
Një javë më vonë të gjithë u mblodhëm në të njëjtën
dhomë ku të tjerët thoshin se e kishin parë më parë.  
Papritmas, Ai u shfaq.  Jezusi u shfaq në mesin tonë.  E
dija që Ai nuk kishte hyrë përmes derës.  Dera ishte
kyçur ngaqë kishim frikë.  Ai na përshëndeti. Atëherë m’u
drejtua mua.  Zemra më rrihte fort.  Sytë e tij më
vështruan drejtpërdrejt në sy.  Ai shtriu duart dhe foli
emrin tim.  "Thoma, vëre gishtin këtu në duart e Mia.  
Vëre dorën në këtë plagë në anën Time dhe mos dysho,
por beso!"
Ai e dinte se si kisha dyshuar.  E dinte tamam ç’kisha
thënë.  Kisha thënë se nuk do të besoja përveçse po të
shihja plagën e gozhdëve në duart e Tij.  Ai tha, "Ja duart
e Mia."  U kisha thënë dishepujve që nuk mund të besoja,
vetëm nëse mund të vija gishtin në ato plagë gozhdësh.  
Ai më tha, "Vëre gishtin këtu."  Kisha thënë që nuk do të
besoj përveçse nëse mund të vija dorën në anën e Tij.  
Ai më tha, "Vëre dorën këtu në anën Time."
Edhe pashë ato shenja.  Shenjat e ushtarëve dhe
kryepriftërinjve.  Shenjat e njerëzve që e refuzuan, e
përçmuan, e keqpërdorën mizorisht.  Ato ishin shenjat e
njerëzve të cilët nuk donin të besonin.  Edhe unë isha
bërë njeri që nuk donte të besonte.  Rashë në gjunjë dhe
i thashë, "Perëndia im dhe Zoti im."
Po ju?  Gjithsecilit prej jush që dyshon që Jezusi është i
gjallë, gjithsecilit që dyshon nëse Ai është Zoti i ringjallur
dhe i gjallë, gjithsecilit prej jush që dyshon nëse Ai është
shpëtimtari, unë po ju them, mos dyshoni më, por
besoni.  Ai më qortoi me butësi ndërsa të tjerët
vështronin.  Ai tha që unë kam besuar sepse kam parë,
por Ai tha që një bekim akoma më i madh do të vinte mbi
ata të cilët nuk kanë parë si unë e prapë besojnë."

I adaptuar nga Ungjilli sipas Gjonit.
A u ringjall
Krishti?


Flet
dëshmitari
i ringjalljes