Gazeta
JEHONA


Dashuria e një zogu nënë
Pasi një zjarr ra në një pjesë të parkut Yellowstone, një nga rojet gjeti trupin
e djegur të një zogu në fund të një peme që po nxirrte tym. Kur e lëvizi atë
me një shkop, tre zogj të vegjël dolën nga krahët e nënës së vdekur.
Mbetjet e një foleje gjysmë të djegur flisnin për atë që kishte ndodhur. Kur
flakët e pakontrollueshme e përfshinë pemën, foleja gjysmë e djegur ra në
tokë dhe nëna u ul pranë saj në mënyrë që zogjtë e saj të vegjël mund të
gjenin mbrojtje poshtë krahëve të saj.
Kur flakët u ngritën rreth saj ajo dha jetën në mënyrë që fëmijët e saj të
mund të jetonin.
Ç’tregon pashka?  Që Jezus Krishti vdiq për ne.  A janë vendosur krahët e
tij mbi jetën tënde?

Çlirim nga detyrimi për të shkuar në luftë
Gjatë luftës së Napoleonit kundër Anglisë, në ushtrinë franceze burrat
rekrutoheshin me një sistem llotarie. Kur binte emri i dikujt ai duhej të
shkonte në betejë. Por kishte një përjashtim: një njeri do të lirohej nga
detyra nëse një tjetër ishte gati të zinte vendin e tij. Një herë ndodhi që njeri
prej atyre që ishin zgjedhur nuk pranoi të shkoi duke thënë: ‘Unë u vrava dy
vjet më parë’. Në fillim ata menduan se nuk ishte mirë nga ana mendore, por
ai këmbëngulte se ishte e vërtetë. Ai pretendonte se regjistrat do të tregonin
se ai ishte rekrutuar dy vjet më parë dhe se ishte vrarë në aksion. “Si mund
të ndodhë një gjë e tillë përderisa ti je i gjallë tani?” pyetën ata. Ai shpjegoi
se kur e thirrën, një shok i ngushtë tha: “Ti ke një familje të madhe kurse
unë nuk jam i martuar dhe askush nuk ka nevojë për mua. Do të marr emrin
dhe adresën tënde dhe do të shkoj në vendin tënd”. Dhe kështu ishte
shkruar vërtet në regjistër. Ai nuk kishte pse të shkonte. Shoku i tij kishte
vdekur në vendin e tij.
Ç’tregon pashka?  Se Krishti kështu veproi. Ai vdiq në kryq në vendin tonë.

Treni dhe djali
Xhoni ishte babai i një djali 8 vjeç. Ai e donte shumë djalin e tij. E kishte si
dritën e syve të tij. I biri i tij ishte si gjithë fëmijët e tjerë i cili dëshironte
vazhdimisht të shkonte dhe të punonte me babain e tij. Një ditë Xhoni
vendosi ta merrte djalin e tij me vete në punë. Ai punonte si drejtues i një
ure përmes lumit Misisipi. Xhoni kishte si detyrë të ngrinte dhe të ulte urën
në mënyrë që anijet dhe trenat të mund të kalonin. Xhoni dhe djali i tij ishin
duke ngrënë drekë kur ai kuptoi se Memphis Belle, një tren me 300
pasagjerë, po bëhej gati për të kaluar mbi urë, por ura nuk ishte ulur. Xhoni
u ngjit shpejt nëpër shkallë, mbërtheu levën për të ulur urën dhe në atë çast
kuptoi se i biri ishte ngjitur në urë dhe kishte rënë ndërmjet mekanizmave të
urës. Xhoni dëgjonte trenin me 300 pasagjerë që po vinte. Me mendjen e tij
filloi të mendonte se si mund të nxirrte të birin nga mekanizmat dhe në të
njëjtën kohë të ulte urën, por e dinte se duhej të merrte një vendim. Xhoni e
uli urën tamam në kohën kur treni duhej të kalonte duke e shtypur të birin
ndërmjet mekanizmave. Xhoni e pa trenin tek kalonte dhe pa një burrë që
lexonte gazetën, një grua që pinte çaj dhe një tjetër që fliste me gruan e tij.
Ai bërtiti me sa kishte fuqi: “Hej, a nuk e dini se çfarë bëra për ju?” Ata nuk e
dëgjuan prandaj thirri edhe njëherë “Hej, a nuk e dini se çfarë bëra për ju?”
Por përsëri ata vazhdonin me jetët e tyre pa ditur se çfarë kishte bërë Xhoni
për ta.
Ç’tregon pashka?  Duket sikur Perëndia na flet: “A nuk e dini se çfarë kam
bërë për ju? Dërgova birin tim të vetëm në tokë për ju. Ai vdiq në mënyrë të
tmerrshme në mënyrë që ju të shkoni në parajsë. Përse vazhdoni të jeni të
zënë me jetët tuaja pa kuptim duke më shpërfillur?”

Kryqi i Rembrantit
Tre kryqet është një pikturë e famshme e Rembrantit. Ata, që e shohin, së
pari përqendrohen te kryqi në qendër ku vdiq Krishti. Pastaj shohin turmën
e mbledhur rreth kryqit. Atyre u bëjnë shumë përshtypje veprimet dhe
shprehjet e ndryshme në fytyrë të njerëzve të përfshirë në krimin e
tmerrshëm të kryqëzimit të Birit të Perëndisë. Në anë të pikturës është një
figurë tjetër, pothuajse e fshehur në hije. Kritikët e artit thonë se kjo është
një paraqitje e vetë Rembrantit, sepse ai e kuptoi që me mëkatet e tij edhe
ai bëri që Jezusi të gozhdohej në kryq.


Shëmbëlltyra
për Pashkën