Gazeta
JEHONA

Sigurisht që ke dëgjuar për kishat orthodokse,
katolike dhe protestante.  A ke dëgjuar për kishën
luterane, për kishat baptiste, dhe për kishat
pentekostale?  Por për kishën presbiteriane apo
kishën e reformuar?  Përse ka kaq shumë kisha të
ndryshme?

  Arsyeja që ka shumë kisha brenda krishterimit është sepse
Bibla na lejon të kemi ndryshime mendimesh. Brenda
krishterimit ka disa doktrina thelbësore që përcaktojnë se çfarë
do të thotë të jesh i krishterë.  Doktrina thelbësore janë:

1.        Ka vetëm një Perëndi.
2.        Bibla është Fjala e Perëndisë.
3.        Duhet të adhurojmë vetëm Perëndinë dhe asgjë tjetër.
4.        Perëndia na urdhëron të jetojmë jetë të pëlqyera, të
         mos vrasim, vjedhim ose gënjejmë.
5.        Perëndia krijoi familjen dhe ne duhet të respektojmë
         prindërit dhe martesën.
6.        Perëndia ekziston si një trinitet personash: Atë, Bir dhe
         Frymë e Shenjtë.
7.        Jezusi u lind në mish nga virgjëresha Mari.
8.        Jezusi vdiq në kryq për mëkatet tona dhe u ringjall
         fizikisht nga të vdekurit.
9.        Falja e mëkateve vjen vetëm prej hirit të Perëndisë.
10.      Çdo njeri do të dalë para Perëndisë të japë llogari për
         ato ç’ka bërë në këtë botë.

  Përderisa një kishë beson në doktrinat thelbësore, atëherë
ajo kishë është e krishterë. Megjithatë, ka shumë gjëra në Bibël
që janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Për shembull, a
duhet ose jo të përdorim instrumenta muzikorë në kishë? A e
marrim darkën e Zotit çdo të dielë, një herë në muaj ose një
herë në vit? A pagëzojmë foshnje apo vetëm njerëz që janë në
moshë për të zgjedhur vetë pagëzimin? Përgjigjet e këtyre
pyetjeve nuk ndikojnë nëse dikush është apo jo i krishterë. Por
për shkak të çështjeve të tilla janë formuar kisha të ndryshme.
Nuk do të thotë se një kishë bie në kontradiktë me një tjetër. Do
të thotë se edhe pse bien dakord në gjërat thelbësore, ata
ndryshojnë në gjëra jo thelbësore. Kjo lejohet nga Bibla:

"pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për
mendimet. Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë,
ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte. Ai që ha të mos e
përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që
ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Kush je ti që gjykon
shërbyesin e tjetrit? A qëndron në këmbë ose rrëzohet është
punë e Zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i
zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë. Sepse dikush e çmon një
ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët
njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij "
(Rom. 14:1-5).

Kisha të rreme

  Fatkeqësisht ka edhe një arsye tjetër për ndryshimet mes
kishave që është fakti se disa kisha nuk jetojnë sipas vullnetit të
Perëndisë. Është e trishtueshme që disa kisha kanë braktisur
themelet e besimit. Disa kisha u japin më shumë nder
shenjtorëve sesa Perëndisë. Disa përfshihen shumë në çeshtje
politike dhe harrojnë se krishterimi ka të bëjë me një mbretëri
frymërore jo tokësore. Disa kisha nuk besojnë më në ringjalljen
e Jezus Krishtit apo në mrekullitë e tjera të Perëndisë, edhe pse
ato janë regjistruar në fjalën e Perëndisë. Ka gjithashtu kisha
që përqafojnë ide që janë të gabuara moralisht. Është e
pabesueshme që ka disa kisha që pranojnë homoseksualitetin.
Kisha të tilla mund ta quajnë veten të krishtera, por është e
qartë nga fjalët dhe veprimet e tyre që nuk janë më aspak të
krishtera. Një besimtar i vërtetë do të largohet nga këto lloj
kishash dhe do të gjejë një kishë që është besnike ndaj së
vërtetës.

Fjala e Zotit thotë: “Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit
tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i
çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh”.
                                                              2 Thesalonikasve 3v6

"Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili
është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit
dhe të Perëndisë.
Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të
këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e
mosbindjes.  Mos jini, pra, shokë me ta.
Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra,
si bij të dritës."
                                                                      Efesianët 5v5-8


Përse ka kaq shumë
kisha të ndryshme?