Gazeta
JEHONA

    Historia e Këngës më
    famshme të Krishtlindjes

    Në qoftë se vizitoni një kishë gjatë krishtlindjeve ka shumë mundësi që do të dëgjoni
    këngën “Natë e Qetë” të kënduar nga besimtarët shqiptarë.  Para 187 vjetësh kënga e
    krishtlindjeve "Stille Nacht! Heilige Nacht" u dëgjua për herë të parë në një kishë në një
    fshat të Austrisë. Atë prag krishtlindjeje lindi një këngë e cila do të çante rrugën duke
    hyrë në zemrat e njerëzve nëpër botë. Tashmë e përkthyer në qindra gjuhë, ajo
    këndohet nga miliona njerëz çdo dhjetor, në kishat nga më të voglat, në katedralet e
    mëdha.  Ajo është pa dyshim kënga më e famshme e krishtlindjes në botë.

    Fjalët gjermane për gjashtë strofat origjinale që ne e njohim si "Natë e
    Qetë, Natë e Shenjtë" u shkruan nga Joseph Mohr në 1816, kur ai ishte një
    prift i ri, i caktuar në një kishë në Mariapfarr të Austrisë.  Më 24 Dhjetor
    1818 Joseph Mohr udhëtoi në shtëpinë e muzikant-mësuesit Franz
    Gruber.  Ai ia tregoi poemën shokut të tij dhe i kërkoi t’i shtonte një melodi
    dhe harmoni për kitarë, që të këndohej në shërbesën e mesnatës në kishë.
    Nuk dihet arsyeja që ai kishte për të dashur një këngë të re. Disa
    hamendësojnë që organoja nuk punonte; të tjerët ndihen që
    ndihmëspastori, i cili pëlqente tej mase muzikën e kitarës, donte thjesht një
    këngë të re për krishtlindje.

    Atë mbrëmje, ndërsa të dy burrat, të mbështetur nga kori, qëndruan në
    Kishën e Shën Nikollit dhe kënduan "Stille Nacht! Heilige Nacht!" për herë
    të parë, ata nuk mund të kishin imagjinuar ndikimin që vepra e tyre do të
    kishte në botë.

    Një ndërtues dhe riparues mjeshtër i organove, udhëtoi në Oberndorf për
    të punuar me organon.   Gjatë kohës që po punonte në kishë, ai siguroi një
    kopje të veprës dhe e mori me vete në shtëpi. Kështu, kënga filloi
    udhëtimin rreth botës.

    Joseph Bletzacher, këngatari i Operës së Oborrit Mbretëror nga Hanoveri,
    raportoi që në vitet 1840, kënga ishte tashmë e njohur në një pjesë të
    madhe të Gjermanisë. "Në Berlin," thotë ai, "ajo u popullorizua në mënyrë
    të veçantë nga Kori Mbretëror i Katedrales. Në fakt ajo u bë kënga e
    preferuar e krishtlindjes e Mbretit Frederik Uilliam IV të Prusisë, i cili
    kërkonte që Kori i Katedrales t’ia këndonte çdo vit gjatë sezonit të
    krishtlindjeve."

    Kur kënga ishte bërë e famshme nëpër Evropë, krijimtari Joseph Mohr kishte vdekur
    dhe kompozitori ishte i panjohur. Ndonëse Franz Gruber u shkroi autoriteteve muzikore
    në Berlin duke thënë që ai ishte kompozitori, melodia ishte supozuar në kohë të
    ndryshme se ishte vepër e Hajdenit, Moxartit ose Betovenit dhe këto mendime vazhduan
    të qarkullonin madje edhe në shek. XX. Polemika u shua vetëm para katër vjetësh kur
    një kopje origjinale i këngës "Stille Nacht" në dorëshkrimin e Joseph Mohr u vërtetua. Në
    cepin e djathtë të aranzhimit, Mohr shkroi, "Melodie von Fr. Xav. Gruber."

    Varri i priftit Joseph Mohr ndodhet në një pikë të vogël skijimi në Alpe, të quajtur
    Vagrain. Ai lindi në një familje të varfër në Salzburg në 1792 dhe vdiq i varfër në
    Vagrain në 1848, ku ai ishte caktuar si pastor i kishës. Ai kishte dhuruar të gjitha
    përfitimet e tij që të përdoreshin për përkujdesjen e pleqve dhe për arsimin e fëmijëve
    në atë vend. Përkujtimi i tij nga qytetarët është Shkolla “Joseph Mohr” e ndodhur pak
    metra larg varrit të tij.

    Ndoshta kjo është pjesë e mrekullisë së këngës "Natë e Qetë." Fjalët rrodhën nga
    imagjinata e një pastori modest të sapokualifikuar. Muzika u kompozua nga një muzikant
    i cili nuk njihej jashtë fshatit të tij. Nuk ka patur ndonjë yll që të këndonte në interpretimin
    e saj të parë. Megjithatë, mesazhi i saj i fuqishëm i paqes qiellore ka kaluar të gjithë
    kufijtë dhe pengesat gjuhësore, duke pushtuar zemrat e njerëzve kudo.

    Burim: Bill Egan, Historian i Krishtlindjeve, dhe përfaqësues i Organizatës Turistike
    Austriake


Traditat e
krishtlindjes

Natë E Qetë, Natë E Shenjtë
Që u lind foshnjë e shenjtë
Rreth fëmijës o At qiellor
Ndriçon drita e yllit tënd
Fli i qetë o Krisht,
Fli i qetë o Krisht.

Natë e qetë, natë e shenjtë
Dhe barinjtë gjunjëzojnë
Para mbretit të qiellit mbi dhe.
Ylli i ndriçimit nga lindja vjen
Ditë e shenjtë po vjen,
Ditë e shenjtë po vjen.

Natë e qetë, natë e shenjtë
Ditë e re po ndriçon
Nga fytyra jote, o Krisht,
Vjen shpëtimi për botën lirisht,
Shpëtimtari u lind,
Shpëtimtari u lind.   

               Nga Joseph Mohr