Gazeta
JEHONA

Feja e shqiptarit është....

Ndaj pyetjes: “Cila është feja e Shqiptarit?” si
përgjigjesh?

Njëri përgjigjet ‘atë fe’, tjetri përgjigjet ‘këtë fe’, dikush
tjetër thotë që shqiptari s’ka fe.  Një person tjetër
thotë “feja e shqiptarit është paraja”.  Dëgjova një
version të ri kohët e fundit: “Feja e shqiptarit është . . .
. Amerika”!

Përgjigja më e famshme

Pa dyshim përgjigja më e famshme është ajo që nxori
nga pena e tij Vaso Pasha në shekullin 19-të: “Feja e
shqiptarit është shqiptaria”.  

Fjala e Vaso Pashës është mjaft domëthënëse.  Por
se ku qendron domëthënia e tij, këtu lind pak
diskutim.  Po të besojmë propagandën që u përhap
gati 50 vjet me pare nga Partia e Punes “Feja e
shqiptarit është shqiptaria” do të thotë se popullit
shqiptar nuk i duhet feja fare.  Këta e kthyen thënien
e Vaso Pashës në një parullë kundër besimit në
Perëndi.  Por a thua që ky ishte synimi i Vasos?  Që
të zhvishte shqiptarët nga çdo besim fetar?  Sigurisht
që jo! Vaso Pasha u bëri thirrje bashkëathdhetarëve
për unitet dhe për patriotizëm në një kohë që kjo ishte
e domosdoshme për mbijetesën kombëtare në prag të
shpërbërjes së perandorisë turke.

Por patriotizmi nuk e përjashton fenë.  Pjesa
dërrmuese e patriotëve të mëdhenj që kanë dalë kanë
qënë burra që kanë besuar te Perëndia.  Dhe
dashuria për Perëndinë nuk e përjashton dashurinë
për vendin tënd.  Përkundrazi, ai që e do Zotin, si
mund të mos e dojë vendin dhe popullin e tij? Veçse
besimi i tij të jetë drejtuar një perëndi i urrejtjës dhe jo
ai i dashurisë.

A është feja e shqiptarit ende shqiptaria?  A janë
vlerat patriotike të dukshme në popullin shqiptar sot?  
Te disa po.  Te disa të tjerë jo.  Dhe se si tingëllon kjo
thënie e “shqiptarisë” kur del nga goja e njerëzve që
duan vetëm të vjedhin vendin e tyre dhe jo ta
pasurojnë atë.

Feja e shqiptarit është . . .

Ç’është kjo tendencë që kemi të jemi aq përgjithësues
kur flasim për një popullsi disa milionëshe!  Kush
është ai që është aq kompetent sa mund të shpallë që
“gjithë shqiptarët janë kështu”, apo “gjithë shqiptarët
janë ashtu”?  Larg nesh paragjykime të tilla të
gabuara!

Më të vërtetë, feja e shqiptarit eshte ajo çka zgjedh
vetë çdo shqiptar.  Feja e shqiptarit janë ato vlera mbi
të cilat çdo shqiptar ndërton jetën e tij.  Dikush
ndërton mbi një themel të mirë, e dikush mbi një
themel të dobët.  Por secili të ketë kujdes për veten e
vet se mbi cilen bazë ai ndërton.

Personalisht, unë kam përqafuar ato vlera që gjej në
faqet e librit të parë që u shkrua ndonjëherë në shqip
– Biblën e shenjtë.  Ky libër më tregon se ne jemi të
krijuar dhe jo të gjendur këtu rastësisht.  Ky libër më
tregon që secili prej nesh është një krijesë e vëcantë,
e ndërgjegjshme dhe me një përgjegjësi për familjen
dhe jetën e tij.  Dhe ky libër më mëson që të dua të
mirën e vendit tim dhe të popullit tim.  Pa dyshim që
ky libër më mëson të dua Perëndinë që më krijoi
përmbi çdo gjë tjetër.  Gjithashtu, është ky libër që më
mëson që unë jam i gabueshëm, që kam nevojë për
korrigjimin e të tjerëve, dhe që kam nevojë për
Perëndinë çdo ditë të jetës sime.

Këto janë ato vlera që unë kam përqafuar.  Dhe a
thua që ai njeriu që i shërben këto vlera, do t’i sjell të
mira apo të këqija vendit të tij?  Mendohu për këtë.  
Dhe pyet veten:  Cila është feja ime?  A jam unë në
rrugën e duhur?  A po i bëj mirë vendit tim?  Uroj që
përgjigja të jetë ajo e duhura.  Sidoqofë, feja e
shqiptarit është ajo çka zgjedh vet.