| Gazeta JEHONA |
| Filmi Kodi i Da Vinçit Një film që fyen rëndë besimtarët si dhe i lë të pakënaqur historianët Aktori Tom Hanks luan në një film të ri bazuar në librin e shumëshitur Kodi i Da Vinçit. Dhe nëse nuk e keni lexuar Kodi i Da Vinçit, do t’ju njoh me librin dhe disa ide të çuditshme që mund të mos i keni dëgjuar më parë si psh: • Jezusi ishte martuar me Maria Magdalenën! • Ata patën fëmijë që u martuan me fëmijë me prejardhje mbretërore franceze! • Dhe e gjithë kjo ka qenë e njohur për shekuj me radhë, por e vërteta u është mbajtur e fshehtë njerëzve nga frika e shkatërrimit të pushtetit të kishës! Këto pohime janë jashtëzakonisht ofenduese për të krishterët. Ato sulmojnë atë që është më e çmuar për besimtarët e Jezus Krishtit, sepse ato sulmojnë vetë Jezus Krishtin. Nëse libri do të prezantohej thjesht si një roman, ndofta do të ishte një lexim interesant për njerëzit që pëlqejnë tregime me komplote. Ajo që e bën librin shqetësues është fakti që ai pretendon se bazohet në fakte. “ Thashethemet janë pëshpëritur për shekuj me radhë” thotë autori Dan Brown në Kodi i Da Vinçit. Dhe na thuhet se disa nga dëshmitë më tronditëse shfaqen në pikturat e Leonardo Da Vinçit, që është edhe titulli i librit. Lexuesit duhet të dinë se teoria kryesore i këtij libri mund të gjendet në libra siç është Holy Blood, Holy Grail (Gjak i shenjtë, kupë e shenjtë) i Michael Baigent (1983), të cilit i referohet edhe autori Dan Brown në romanin e tij. Përfundimi i kësaj teorie është se Krishterimi është bazuar në një gënjeshtër të madhe ose më mirë të themi në disa gënjeshtra. Do të thotë se të gjithë 12 dishepujt e Krishtit ishin gënjeshtarë të cilët qëllimisht kishin nisur një fe të rreme. Jo vetëm kaq, por ata e dhanë jetën e tyre duke predikuar gjëra që i dinin se nuk ishin të vërteta. Shumë njerëz mendojnë se libri Kodi i Da Vinçit mund të jetë i besueshëm; ashtu siç shtroi pyetjen një komentues: “Përse nuk mund të besojmë se kjo gjë mund të ketë ndodhur?” Mund të mbushim shumë faqe me dëshmitë e historianëve të respektuar për të treguar që Kodi i Da Vinçit është një libër jo shumë i besueshëm nga ana historike, por më duket më me vlerë t’i refërohem fjalës së Palit, apostullit, i cili tha: “nëse njerëzit nuk duan të besojnë të vërtetën, atëherë ata do të besojnë një gënjeshtër”. Prandaj, nëse dëshiron të besosh që Dan Brown-i po thotë të vërtetën lidhur me Jezus Krishtin dhe se shën Pali, shën Pjetri, shën Gjoni, dhe gjithë apostujt e shenjtë kanë mashtruar, atëherë më duket se nuk ja vlen të harxhoj më kohë me këtë temë prej budallai. |
| Kush është Jezus Krishti? |
| Së shpejti në ekranin tuaj |