Gazeta
JEHONA


Ju e dini që për 50 vjet me radhë në Shqipëri u luftua feja dhe në
vend të besimit fetar u propagandua se duhet të kishim besim te
shteti, besim te Partia dhe besim në forcat tona.  Besimi ndaj
Perëndisë u mohua në shkollë, në shtyp, e në ligj dhe c'është më
e keqe edhe në shtëpitë tona.  Jo se në cdo shtëpi flitej kundër
Perëndisë, por se në familjet tona thjesht nuk flitej për Perëndinë
fare.  Në këtë mënyrë humbi ose nuk u transmetua besimi te
brezi i ri.

Une e di se tani jetojmë në një kohë kur besimi është perseri i
lejuar.  Por problemi është se shumica e atyre që janë prindër
sot janë rritur në kohën e sistemit ateist dhe ata nuk janë në
gjendje t’u japin edukim fetar fëmijëve të tyre sepse as ata vetë
nuk morën mësim fetar kur ishin të vegjël.

Lexojmë për një situatë të ngjashme në Dhiatën e Vjeter (te
Bibla) që i ndodhi popullit të Perëndisë:  "Dhe Jozueu, shërbëtori
i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç... Dhe i gjithë brezi i
tij iu bashkua etërve; dhe doli një tjetër brez pas tyre, që nuk e
njihte Zotin apo veprën që kishte bërë.  Dhe populli bëri atë që
ishte e keqe në sytë e Zotit...” (Gjyqtarët 2)

Si përmbledhje, ngjarjet rrodhën pak a shumë kështu: në fillim,
populli nderoi dhe i shërbeu Perëndisë sepse Jozueu dhe brezi i
tij e ruajti të gjallë mes popullit kujtimin e veprave të fuqishme të
Perëndisë. Së dyti, doli një brez i ri që, për ndonjë arsye, nuk e
njihte Perëndinë apo veprën e tij për Izraelin. Së treti, ky brez i ri
e harroi Perëndinë e vërtetë. Dhe përfundimisht, Perëndia solli
mbi ta gjykimin e zemërimit të tij.

Tre mësimet që duhet të nxjerrim janë të thjeshta, por shumë të
nevojshme:

Së pari, kur në komunitet ruhet njohuria e Perëndisë, sidomos
nga ata që e kanë përjetuar personalisht fuqinë e Perëndisë,
besimi ushqehet dhe bindja lulëzon.

Së dyti, nëse ne, prindërit, i lejojmë fëmijët që të rriten pa këtë
njohuri të Perëndisë, i shërbejmë jo vetëm paditurisë dhe
mosbesimit, por edhe shkatërrimit të tyre.

Së treti, pra, është detyrë solemne e të gjithë prindërve që t’i
mësojnë fëmijët për Perëndinë dhe veprën e tij shpëtuese, në
mënyrë që brezi tjetër të dijë dhe të shpëtohet.

Joeli 1:3 e përmbledh në një bërthamë të vetme këtë: “Mësojua
fëmijëve, dhe lëri fëmijët t’ua tregojnë fëmijëve të tyre, dhe
fëmijët e tyre t’ia thonë brezit tjetër.”

BP.
A do ta dijë
brezi tjetër?