Gazeta
JEHONA
Fjalët e fundit

Fjalët e fundit, që thotë një njeri në çastin e fundit para se të
vdesë, shpesh kanë një rëndësi të madhe. Por sa shumë më
të rëndësishme janë fjalët e Jezus Krishtit? Çfarë tha Krishti
kur ishte duke vdekur në kryq? Mendoni për shtatë fjalët e tij
të fundit:

Falje nga kryqi

Fjala e parë ishte: “Atë, fali ata sepse nuk e dinë se ç’bëjnë”1.
Kjo ishte lutja që ofroi Jezusi për faljen e armiqve të tij.
Ndoshta ai i ka thënë këto fjalë ndërsa armiqtë e tij po e
gozhdonin në kryq.
Jezusi kishte mësuar që ne duhet të lutemi për armiqtë tanë
dhe t’u bëjmë mirë atyre që na përndjekin. Këtu e shohim atë
të vërë në praktikë atë që mësoi dhe predikoi. Kjo lutje tregon
se te Jezusi nuk kishte hidhërim, as mëri dhe as ligësi ndaj
armiqve të tij. Jezusi ishte i interesuar për shpëtimin e
vrasësve të tij.

Por duhet të bëjmë një pyetje: A do të thotë kjo lutje se
vrasësve të Jezusit, si judenjve ashtu edhe johebrenjve, do t’u
faleshin të gjitha mëkatet e tyre menjëherë nga Perëndia?
Përgjigjja është jo. Kjo lutje nuk nënkupton falje të
menjëhershme për të gjithë, por nënkupton se Perëndia do të
falë mëkatin më të tmerrshëm (edhe atë të vrasjes së birit të
tij) nëse pendohemi.

Vini re se lutja e Jezusit nuk ishte që ai të merrte falje. Ai nuk u
lut “Atë, fale mëkatin tim”. Ai ishte pa mëkat dhe po vdiste për
mëktatet tona.

Miku im, a nuk i ke kushtuar ende vëmendje kësaj fjale të parë
të Jezusit nga kryqi? Mëkatet e tua do të falen nëse
pendohesh dhe beson se ky që vdiq është Biri i Perëndisë,
Shpëtimtari.

Fjalë shpëtimi

Fjala e dytë iu drejtua hajdutit që po vdiste i cili u lut: “Jezus
më kujto kur të vish në mbretërinë tënde”. Dhe atij iu dha
përgjigjja: “Sot ti do të jesh me mua në parajsë”2.

Kjo fjalë i siguroi shpëtim një hajduti të keq i cili u pendua në
kryqin e tij dhe i besoi Krishtit për shpëtimin e tij. Ai tha:
“Jezus”, që do të thotë Shpëtimtar, “më kujto mua” ose me
fjalë të tjera ki mëshirë për mua. Çfarë ndodhi? Ai mori nga
Jezusi jashtëzakonisht më shumë nga ç’kishte kërkuar dhe
imagjinuar. Kjo fjalë e veçantë duhet t’i japë zemër kujtdo që
shkon te Jezusi dhe lutet për shpëtim. Më lejoni t’ju siguroj se
një njeri i tillë do të kalojë në një çast të vetëm nga sfera e
vdekjes, errësirës dhe ferrit në sferën e jetës, paqes dhe
gëzimit.

Një fjalë dashurie

Fjala e tretë ishte “Kur Jezusi pa nënën e tij dhe dishepullin që
e donte, i tha nënës së tij, ‘Grua, ja biri yt’ dhe dishepullit, ‘Ja
nëna jote’. Që nga ajo kohë ky dishepull e mori atë në
shtëpinë e tij”.3

Jezusi e pa Marinë nga kryqi dhe i foli asaj dhe dishepullit të tij,
Gjon. Në këtë fjalë të tretë nga kryqi Jezusi përmbushi
urdhërimin e pestë që na thotë “Ndero babanë dhe nënën
tënde”. Me anë të kësaj fjale Jezusi siguron jetën e saj. Ai e
urdhëron Gjonin, apostullin, të kujdeset për Marinë gjatë gjithë
jetës së saj.


Shikoni ç’dashuri dhe kujdes tregoi Jezusi edhe pse ishte në
kryq. Kështu lexojmë “Që nga ajo kohë ky dishepull e mori atë
në shtëpi”. A jemi ne ata që gjithashtu po kujdesemi për
prindërit tanë? A i bindeni urdhërimit të pestë apo ende
kërkoni që prindërit të kujdesen për ty? Duhet të mendohemi
për këto pyetje ndërsa studiojmë shembullin e Jezusit.

Thirrja e braktisjes

Fjala e katërt ishte “Perëndia im, Perëndia im përse më ke
braktisur”4. Kjo është thirrja e madhe e braktisjes nga kryqi.
Na thuhet se ai e tha këtë me zë të lartë dhe nëse e dini se
çfarë do të thotë kryqëzim, nënukuptohet se Jezusi duhej të
përjetonte dhimbjen më të madhe për të bërë një thirrje të tillë.

Çfarë thirri ai? “Perëndi, përse më ke braktisur?” Unë dhe ti
mund të mos e vlerësojmë këtë pyetje, por duhet të kuptojmë
se Jezusi gëzonte gjithmonë praninë e Perëndisë Atë. Por këtu
na thuhet se Jezusi ishte braktisur. Çfarë do të thotë kjo
thirrje? Kuptimi i plotë i kësaj thirrjeje të braktisjes duhet të
mbetet e mistershme. Në njëfarë mënyre që ne nuk e
kuptojmë, Perëndia e braktisi Jezusin në kryq për tre orë.

Përse ndodhi kjo? Pali thotë “Perëndia e bëri atë që nuk
kishte mëkat të ishte mëkat për ne” dhe kjo ndodhi në atë
kohë në kryq. Profeti Isaia thotë: “Zoti kishte hedhur mbi të
paudhësitë e të gjithë neve” duke nënkuptuar se ai mbante
mëkatin e popullit të tij. Gjon Pagëzori foli kështu për Jezusin:
“Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës”. Jezusi po e
bënte këtë gjë gjatë kryqëzimit të tij.

Asnjëherë më parë Jezusi nuk kishte përjetuar ndonjë braktisje
nga Ati, por tani, në kryq, ai me të vërtetë provoi vdekje për
popullin e tij. Ai u shkëput nga Perëndia dhe vuajti ferrin për
ne në kryq. Por për shkak se u braktis, ne nuk do të braktisemi
kurrë. Ne do të pranohemi, falemi dhe do të pajtohemi nëse
besojmë në vdekjen e Krishtit.

Thirrja e njerëzimit

Jezusi thirri: “Kam etje”.5 Përse e provoi këtë etje Jezusi? Më
lejoni t’ju siguroj se kjo ishte që ne të mos kemi asnjëherë etje.
Kjo etje që kishte Jezusi zbulon anën e tij njerëzore. Ai me të
vërtetë vuajti. Bibla thotë se ai është hyjnor, por është
gjithashtu njeri. Si njeri ai kishte etje, kishte uri, u lodh, u
ankua dhe u shqetësua. Ai qau, fjeti dhe përjetoi dhimbje të
fortë. Ai ishte njeri i dhembjeve dhe e njihte hidhërimin.

U krye!

Fjala e gjashtë u tha kur Jezusi doli nga tuneli i braktisjes
hyjnore. Ferri i tij mbaroi dhe errësira u largua. Kështu që
Jezusi thirri me zë të lartë “U krye!”6

Kjo thirrje, "U krye," do të thotë se Jezusi e plotësoi
shpengimin tonë. Çfarë do të thotë shpengimi? Do të thotë të
blesh përsëri duke paguar një çmim. Ka të bëjë me të blerit
tonë nga robëria dhe skllavëria. Apostulli Pjetër shkroi: “Sepse
ju e dini se nuk u shpenguat me gjëra që prishen si ari ose
argjendi nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga
etërit tuaj, por me gjakun e çmuar të Krishtit, një qengj pa
njollë ose të metë”.

Ne jemi shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit dhe nga
skllavëria. Skllavëria jonë ishte shumëfaqëshe. Ne ishim
skllevër të mëkatit, të epshit, skllevër të Satanit, të botës,
skllevër të ligjit, të ceremonive fetare, të veprave të vdekura,
të arrogancës, të krenarisë dhe skllevër të rëndësisë që i
japim vetes. Nuk kishim aspak liri. Por kur Jezusi thirri: “U
krye!” nënkuptonte se ai pagoi çmimin për të na shpenguar
nga skllavëria. Nëse Biri na çliron, jemi me të vërtetë të lirë, të
lirë nga mëkati, Satani, epshi dhe ligji. Ata nuk do të na
zotërojnë më.

A ka ndonjë mëkat që e bëni herë pas here? Përse nuk shkoni
te kryqi dhe të dëgjoni këtë fjalë: “U krye”?

A e keni përvetësuar fuqinë e kësaj fjale “U krye”? a keni
përjetuar liri nga faji, zemërimi, të qenit i huaj dhe nga robëria?
Nëse është e vërtetë, gëzohuni në Zotin!

Ripërtëritja e bashkësisë

Fjala e shtatë është: “Jezusi thirri me zë të lartë ‘Atë, në duart
e tua e dorëzoj frymën time”7.
Jezusi tha: “E dorëzoj frymën time”. Kjo kishte të bënte me
lirinë e tij për të dhënë vullnetarisht frymën e tij. Jezusi tha: “Ati
më do sepse unë e jap jetën time, për ta marrë atë përsëri.
Askush nuk ma merr, por unë e jap vet. Unë kam pushtet për
ta lënë dhe për ta marrë përsëri”.

A nuk tha ai “E dorëzoj frymën time”? ishte një akt i lirë dhe i
vullnetshëm. Ai vdiq që të mund të na shpengonte që jemi
mëkatarë. Ai vdiq në prehje të qetë dhe hyri në parajsë. ai hyri
në parajsë që të mund të mirëpresë të gjithë ata që i thërrasin
atij: “Më shpengo, o Zot!”

1. Luka 23:34, 2. Luka 23:43, 3. Gjoni 19:26-27, 4.  Marku 15:
34, 5  Gjoni 19:28, 6  Gjoni 19:30, 7  Luka 23:46.
Shtatë fjalët
e fundit të
Jezus Krishtit