Gazeta
JEHONA
  1 9 6 7 - 2 0 0 7
Para 40 vjetësh Shqipëria u shpall
    “shteti i parë ateist në botë”

    Kanë kaluar 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur
    Shqipëria u shpall me krenari shteti i parë ateist në botë.
    Në atë kohë u organizua një fushatë e madhe kundër çdo
    lloj besimi dhe u mbyllën të gjitha institucionet fetare në
    vend. Në vijën e parë të luftës kundër fesë u vu rinia, e
    cila u përgatit me shumë merak nga komunistët shqiptarë
    për kryrjen e kësaj detyre të veçantë. Pastaj në nëntor të
    vitit 1967 regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull
    “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve” i cili ndalonte të gjitha
    ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë
    shkelësit.

    Ngjarjet e vitit 1967 nuk ishin të papritura.  Në realitet,
    lufta kundër fesë kishte filluar që kur erdhi në pushtet
    Partia e Punës, ndërsa ajo që ndodhi në vitin famëkeq
    ishte kulmi i një fushate të planifikuar mirë. Komunistët e
    toleruan pjesërisht besimin fetar në Shqipëri për aq kohë
    sa pushteti i tyre ishte i pakonsoliduar dhe ndjenjat fetare
    të popullit ishin akoma të forta. Por, pas 20 vjet
    propagande ateiste, dhe rritje e një brezi të ri të edukuar
    në shkollë me frymën marksiste, ndezja e Revolucionit
    Kulturor në Kinë ishte shenja që kishte ardhur koha për
    një goditje më të madhe ndaj fesë edhe në Shqipëri.

    Gjithçka e përgatitur Udhëheqja komuniste mati pulsin për
    mbylljen totale të fesë gjatë vitit 1966. Filloi mobilizimi i
    rinisë për të bërë propagandë kundër besimit fetar në
    zonat rurale. Një fushatë e tillë u zhvillua në fshatrat e
    Fierit, e organizuar nga mësuesit e shkollës. Të rinj të
    disa rretheve, të nxitur nga drejtuesit e Partisë, ishin
    hedhur në luftë për prishjen e ndërtesave të kultit.

    Pas Kongresit V të Partisë së Punës, në nëntor të vitit
    1966, punët filluan të merrnin një drejtim më të hapur. Ky
    kongres e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me
    rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave. Enver Hoxha në
    fjalimin e tij kishte thënë: “Luftë klase është... lufta kundër
    ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive e zakoneve
    prapanike”.  Pikërisht ky fjalim citohet si burim frymëzimi
    në gazetat dhe botimet propagandistike gjatë muajve të
    ardhshëm.

    Në datën 8 shkurt, të vitit 1967, “Zëri i Popullit” botoi në
    faqen e parë, me gërma të mëdha shtypi këto fjalë:“Me
    Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër
    Ideologjisë Fetare”. Në këtë artikull, u lavdëruan në
    mënyrë të veçantë nxënësit dhe pedagogët e shkollës
    Naim Frashëri, në Durrës, për “inisiativën revolucionare”,
    sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë. Artikulli vijon: “...
    në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm
    ideologjik...në një fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për
    zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme,
    aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë
    aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të
    japin përgjigje për qendrimet e tyre”. Duke qënë se ky
    lajm botohej në gazetën kryesore të vendit (ZiP ishte
    Organ i Komitetit Qendror të P.P.SH) jepej kështu sinjali
    për ndezjen e flakëve në të gjitha shkollat e vendit.

    Zgjerohet lufta Si rezultat i mobilizimit të popullit kundër
    fesë, të udhëhequr sigurisht nga komunistët në çdo rreth,
    brenda një kohe të shkurtër u mbyllën institucionet fetare.
    Me përjashtim të ndonjë xhamie apo kishe me vlera
    arkitektonike apo historike, kishat, xhamitë, teqetë e
    tyrbet në të gjithë restorante dhe magazina.

    Duhet sqaruar se këto veprime kundër fesë, dhe dhunimi
    i ndërgjegjës së besimtarëve shqiptar, ishin që të gjitha të
    paligjshme. Në nëntor të 1967-ës regjimi nxori dekretin
    famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa
    dekreteve”. Ai anuloi menjëherë një sërë dekretesh të
    viteve 1949-1951, të cilat legalizonin kartat e rishikuara të
    komuniteteve fetare. Gjithashtu ndalonte të gjitha ritet
    fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë
    shkelësit. Mirëpo ky dekret doli vetëm pasi të ishte kryer
    fushata kundër fesë. Sikur të mos mjaftonte kjo për të
    treguar paligjshmërinë e këtij sulmi ndaj ndjenjave të
    shumë shqiptarëve, vihet re që dekreti i ri (ai që nxori
    jashtë ligjit ushtrimin e fesë) del plotësisht në kontradiktë
    me kushtetutën (kap.III, neni 18), që ende u garantonte të
    gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë!

    Si t’ia vëmë emrin kësaj pune?
    Nga këndvështrimi i sotëm është e vështirë të besosh atë
    ndodhi në Shqipëri në ato vite. Faktikisht, janë të rrallë
    ata njerëz që flasin për këto ngjarje, ose që tregojnë për
    përfshirjen e tyre në aksione kundër fesë. Megjithatë, kjo
    nuk e ndryshon realitetin se ajo ndodhi më të vërtëtë.

    Por çfarë shpjegimi t’i japim kësaj? Vendi këtu nuk lejon të
    hymë në një analizë të hollë e të gjatë për shkaqet e
    kësaj historie të dhimbshme, por më i vlefshëm mund të
    jetë reagimi yt personal për këtë çështje.  Tani, të paktën,
    le t’ia vëmë emrin e duhur kësaj historie të turpshme: U
    krye një shkelje kundër ligjit shqiptar. U krye një faj
    kundër ndjenjave fetare të popullit. Dhe u krye një mëkat
    të madh kundër Zotit.

    Megjithëse kanë kaluar 40 vjet nga ngjarjet famëkeqe të
    asaj kohe, mbetet për të pyetur: A i kemi duart të pastra
    nga kjo punë? Ata që janë me moshë mbi 50 vjeç duhet
    të bëjnë një vetë analizë.  Ata që janë më të rinj e kanë
    kollaj të tregojnë me gisht më të moshuarit, ndërkohë që
    edhe ata duhet t’i bëjnë pyetjen vetes së tyre: “A jam unë
    në luftë me Zotin?” Ndofta ti nuk e mohove Zotin në ‘67-
    ën, as në ’77-ën. Dhe ke të drejtë kur thua: “Unë nuk
    kisha lindur atëherë!”. Por mendo pak si ke ecur në vitin ’
    87, apo në vitin ’97? Dhe si je duke ecur tani në 2007-
    ën? Nuk dyshoj që lexuesi s’po merr pjesë në fushata për
    mbylljen e kishave, por, ka edhe shumë mënyra të tjera
    për t’ia kundërvënë Perëndisë. A i shmangesh ti atyre?
    Ekziston një fjalë e urtë ku thuhet: “Ata që nuk mësojnë
    nga historia, janë të destinuar ta përsërisin".